
I njohur tashmë për të gjithë kombin shqiptar si “Babai i ri” i idesë së “Shqipërisë së Madhe”, apo siç e quan ai “Shqipëri Natyrale”, Koço Danaj, shkrimtar dhe politolog nga Tirana, në një intervistë ekskluzive për Kosova Info, shprehet i bindur se 28 nëntori i vitit 2012, pra 100 vjetori i shpalljes së pavarësisë, do të kurorëzohet me Konfederatën Shqipëri- Kosovë. Ndërsa, sipas tij, viti 2015, 100 vjetori i traktatit famëkeq të Londrës që copëtoi fare kombin shqiptar, do jetë viti i zgjidhjes përfundimtare të çështjes shqiptare.
Kosova Info: Z. Danaj, përse e keni quajtur Shqipëria Natyrale ?
Koço Danaj: Jo rastësisht. Ja arsyet: Kjo Shqipëri që është sot është artificiale. Cili është artificialiteti, të cilin nuk e gjejmë në asnjë vend të Evropës? Që nga Ulqini deri në Konispol kjo Shqipëri dhe shqiptarët e kësaj Shqipërie kufizohen me vetën e tyre. Me konkretisht: Kur kalon Hanin e Hotit futesh fillimisht në territor shqiptar, kur kalon Hanin e Elezit midis Kosovës dhe Maqedonisë kalon nëpër territor shqiptar, kur kalon Qafen e Morinës midis Shqipërisë dhe Kosovës futesh në territor shqiptar, kur kalon qafen e Thanës midis Maqedonisë dhe Shqipërisë futesh në territor shqiptar, kur kalon qafën e Botës në Konispol midis Shqipërisë dhe Greqisë futesh në territor shqiptar. Pra kemi të bëjmë me një komb që ka fqinj vetveten. Pra në fillim të pranojmë realitetin aktual. Cili është ky realitet? Është absurdi më i madh i kontinentit evropian. Prandaj në vend të Shqipërisë Artificiale, ne duam që më anë të bisedimeve dhe rrugës paqësore të ndërtojmë Shqipërinë Natyrale. Dhe sa kohë që do ekzistojë ky artificialitet absurd, ne e kemi quajtur dhe do ta quajmë Shqipëri natyrale, atë që kërkojmë.
Kosova Info: Po, cilët janë kufijtë e Shqipërisë Natyrale?
Koço Danaj: Janë kufijtë e përcaktuar nga Konferenca e Vlorës e 28 nëntorit 1912, kur u shpall pavarësia e Shqipërisë Natyrale. Këta kufij nuk u njohën nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër e vitit 1913, ajo e copëtoi kombin shqiptar në 5 pjesë.
Kosova Info: Në cilat dokumente historike e keni mbështetjen për Shqipërinë Natyrale?
Koço Danaj: Bazamenti i Shqipërisë natyrale janë Dokumentet e njohura historike si Platforma e Lidhjes se Prizrenit, Platforma e Shpalljes së Pavarësisë nga Kuvendi i Vlorës në 28 nëntor 1912, Rezoluta e Konferencës se Bujanit, betimi i luftëtarit të UCK, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë që konsideron të ligjshëm bashkimin e Shqiptarëve në një shtet. Konferenca e Helsinkit e vitit 1975 e cila e pranon ndryshimin e kufijve pa dhunë, me mjete paqësore, dhe së fundi Karta e OKB-së, që pranon të drejtën e kombeve për vetëvendosje.
Kosova Info: Përpos mbështetjes së popullit shqiptar kudo që janë, për Shqipërinë Natyrale, keni mbështetje nga lidershipi në Shqipëri?
Koço Danaj: Deri tani nuk kemi mbështetje të hapur, por nga kontaktet që kemi me politikanë dhe qeveritarë të ndryshëm, e konsiderojnë si veprim të drejtë, Platformën e Shqipërisë Natyrale. Mjafton t’ju them se në Promovimin e Platformës së Shqipërisë Natyrale, morën pjesë 37 deputetë nga Tirana, Kosova dhe Maqedonia. Por jemi të sigurt se pas hyrjes në Parlament të Lëvizjes Vetëvendosja dhe Lëvizjes për Bashkim, në vitin 2011, edhe Tirana zyrtare do ta mbështesë hapur domosdoshmërinë e Shqipërisë Natyrale.
Kosova Info: Përpos Lëvizjes Vetëvendosje, cilat janë aleatët tuja nga partitë tjera politike në Kosovë?
Koço Danaj: Është Lëvizja për Bashkim, është LPK-ka, janë mbi pesëmbëdhjetë deputetë në PDK, AAK, AKR dhe LDK, të cilët pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, do kini rastin t’i dëgjoni kur të mbrojnë nevojën dhe domosdoshmërinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë me mjete paqësore.
Kosova Info: Na intereson te gjithëve edhe sa i përket përkrahjes së ndokujt nga bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi. Keni hasur në përkrahje të tillë deri më tash?
Koço Danaj: Ka një problem, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare është ajo që e ka copëtuar kombin shqiptar dhe e ka pak të vështirë të pranojë një gjë të tillë. Por fakti që Platformën e Shqipërisë Natyrale, Listën për Shqipëri Natyrale nuk e kanë kundërshtuar hapur tregon se dalëngadalë po e pranojnë në praktikë se Shqipëria Natyrale është faktori kryesor i paqes në rajonin e Ballkanit. Në të gjitha deklaratat, analizat apo shkrimet e botuara deri tani të cilat janë mbi 300, në shumicën e tyre Shqipëria Natyrale, nuk është kundërshtuar, por është thënë se do jetë më mirë që shqiptarët të bashkohen në BE. Pra është një përpjekje për të fituar kohë. Dëshiroj të përmend këtu komentin e agjencisë gjermane të lajmeve DPA, të datës 30 nëntor i cila i kushtoi mbi një faqe e gjysmë, Shqipërisë Natyrale duke u shprehur se tashmë ajo po pranohet nga Shoqëria. Ose editorialin e prestigjiozes Financial Times, të datës 11 dhjetor, e cila e konsideronte realitet bashkimin shqiptarë. Dhe e fundit, vetë fakti që përkrah Vetëvendosjes në fushatën zgjedhore të zhvilluar në Kosovë, mori pjesë një nga diplomatet më të njohur amerikane, Walker tregon qartë se kjo mbështetje pak nga pak po del hapur. Për ata që e dinë se si vepron diplomacia amerikane, e kuptojnë fare mirë se mbështetja për bashkimin e shqiptareve ka filluar të pranohet si çelësi i paqes në rajon.
Kosova Info: Sipas jush, si do t’i shikon bashkësia ndërkombëtare kufijtë e rinj eventual në Ballkan?
Koço Danaj: Problemi i parë është kërkesa jonë. Lista për Shqipëri Natyrale është një ofertë për paqe që i drejtohet jo vetëm bashkësisë ndërkombëtare, por edhe fqinjëve të saj në rajon. Thelbi i Listës për Shqipëri natyrale është Dialog me këdo, dialog për gjithçka. Bashkësia ndërkombëtare është kundër ndryshimit të kufijve me dhunë, por nuk është kundër ndryshimit të kufijve me paqe, me bisedime, me dialog. Për shembull: Në qoftë se shqiptarët në Kosovë dhe Kuvendi i Kosovës që do të dalë pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit duan bashkim me Shqipërinë, atëherë edhe bashkësia ndërkombëtare do ta lejojë këtë vullnet të shqiptarëve. Për këtë arsye në Platformën e Shqipërisë Natyrale kemi parashikuar si fazë të parë bashkimin e Shqipërisë me Kosovën deri në 28 nëntor 2012, që përkon me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë Natyrale. Shembulli i dytë: Në qoftë se shqiptarët në Maqedoni që janë popull shtetformues me kushtetutë do kërkojnë Referendum për bashkim me Shqipërinë, të jeni të sigurt se edhe bashkësia ndërkombëtare nuk do ta pengojë. Sepse referendumi është mjet paqësor, bisedimet janë mjete paqësore. Bashkësia ndërkombëtare nuk mund të dalë kundër paqes në rajon. Problemi i dytë është se nga analiza e politikës ndërkombëtare duket se ajo po i qaset problematikës së rajonit ballas, domethënë për ta riformatuar atë tërësisht dhe kjo do te thotë, se po afrohet Ora e Shqipërisë Natyrale. Janë tre fakte që na shtyjnë në këtë përfundim. I pari ka të bëjë me emrin e Maqedonisë, i cili duket se është thjesht një pretekst dhe jo një shkak. E dyta është Kërkesa e Republikës Serpska për ndarje dhe bashkim me Serbinë. Dhe e treta është kërkesa në rritje e shqiptarëve për bashkim. Bashkësia ndërkombëtare e di se deri tani rajoni i Ballkanit vetëm është arnuar apo zgjidhur pjesërisht, por jo tërësisht. Për shembull, mbi kombin shqiptar deri tani veprojnë disa marrëveshje ndërkombëtare, e Londrës që e copëtoi në pesë pjesë, e Versajës që e la në fuqi këtë copëtim, e Rambujesë, e Kumanovës, u Ohrit, e Konçulit që e kanë zgjidhur pjesërisht. Prandaj Platforma e Shqipërisë Natyrale kërkon organizimin e një konference Londër-2, por këtë herë edhe me pjesëmarrjen e SHBA-ve dhe të vetë Shqiptarëve.
Kosova Info: Sa mund të realizohet ideja Juaj për një Shqipëri Natyrale, pa tronditje politike, pa konflikte, sepse SHN do të shtrihet në disa territore të vendeve fqinjë të Ballkanit, por edhe të një vendi të Bashkimit Evropian?
Koço Danaj: Keni të drejtë në pyetjen tuaj. Por më lejoni t’ju sqaroj se pyetja ka dy momente: Konflikt dhe tronditje politike. Për konflikt klasik nuk ka vend. Pse? Në rajonin e Ballkanit të gjitha qeverisjet janë demokratike. Aty ku sundon demokracia nuk ka vend për konflikte klasike. Kjo përjashtohet. Ne jemi kundër dhunës dhe konflikteve. Për një shekull, shqiptarët kanë derdhur aq shumë gjak sa mund të bëjnë 5 Shqipëri Natyrale. Na kanë vrarë dhe jemi vrarë me njëri tjetrin, sepse kemi qenë të ndarë dhe kur je i ndarë është më lehtë të gjejë vend përçarja. Ndërsa tronditje politike edhe do të ketë. Prandaj është tavolina e bisedimeve, që këto tronditje politike t’i zbusë, t’i qetësojë. Shikoni: Para disa vjetësh, Pavarësia e Kosovës ishte një tronditje Politike, tani nuk është më e tillë. Para disa vitesh, kërkesa e Republikës Serpska për referendum dhe ndarje ishte tronditje politike. Tani nuk është më e tillë, bile në ceremoninë e përurimit te presidentit Dodik, mori pjese vete presidenti ë Serbisë Tadiç. Por nuk mori pjesë Presidenti i Bosnjës. Pra rruga paqësore dhe Tavolina e bisedimeve i qetëson dhe zbut tronditjet politike. Ja dhe një shembull tjetër. Në sondazhin e Gallup, një pjesë e qytetarëve maqedonas në Maqedoni, u shprehen dakord që shqiptarët të bashkohen me Shqipërinë. Prandaj le të fillojmë. Mendoni pak: Tashme kemi një grup deputetesh, mbi 30 në Kuvendin e Kosovës që do artikulojnë hapur bashkimin me Shqipërinë. Si mendoni ju, nuk do t’i presë, presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë këta deputetë kur të vijnë në Tiranë dhe të kërkojnë bisedime me Tiranën për bashkim me Shqipërinë? Si mendoni, kur këta deputetë të shkojnë në Bruksel apo departamentin e Shtetit, nuk do t’i presin? Përkundrazi, do ti presin dhe do t’i dëgjojnë. Sa kohë që përjashtohet dhuna nga një ide që kërkon të realizosh, aq kohë të gjitha dyert janë të hapura. Prandaj unë jam i sigurt se të ashtuquajturat bisedime midis Beogradit dhe Prishtinës për gjoja çështje teknike mund të fillojnë si të tilla, por do të përfundojnë si bisedime midis Beogradit nga njëra anë dhe Tiranës e Prishtinës nga ana tjetër, duke u konkretizuar me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Kosova Info: Z. Danaj, ideja Juaj ka tronditur pak a shumë të gjitha trojet e kombit shqiptarë, dhe se sipas jush kjo ide do të realizohet. Mund të na përmendi të paktën një afat kohor se kur do të ndodh kjo?
Koço Danaj: Natyrisht pa afate kohore nuk ecet. Sot çështja shqiptare, nuk është më një dëshirë, por një problem i shtruar për zgjidhje. Në Kosovë kjo dëshirë u konvertua në votë. Dhe sa kohë që ndodhi një gjë e tillë, atëherë afatet janë të nevojshme. Dhe unë mendoj se 28 nëntori i vitit 2012 , pra 100 vjetori i shpalljes së pavarësisë, do të kurorëzohet me Konfederatën Shqipëri- Kosovë. Ndërsa viti 2015, 100 vjetori i traktatit famëkeq të Londrës që copëtoi fare kombin shqiptar, do jetë viti i zgjidhjes përfundimtare të çështjes shqiptare.
Kosova Info: Z. Danaj jemi në prag të bisedimeve me Beogradin. Flitet se përpos pikave që do të diskutohen në këto bisedime, ndër to do të jetë edhe ideja Juaj për Shqipëri Natyrale. Si e komentoni këtë?
Koço Danaj: Domethënë se problem do te shtrohet në Tavolinë. Dhe kur shtrohet në Tavolinë, edhe do të zgjidhet.
Kosova Info: Kosova po përballët më një krizë mund të quajmë të jashtëzakonshme institucionale, e që rezultojë me zgjedhje të jashtëzakonshme. Si e vlerësoni procesin zgjedhor në Kosovë, edhe pse i papërfunduar?
Koço Danaj: Nuk e quaj krizë institucionale të jashtëzakonshme. Le të bëhemi realist. Presidenti, kryeministri real i Kosovës me Kushtetutë është Piter Feit. E ai është në detyrë, Kosova në thelb është protektorat i BE-së. E sa për zgjedhjet, i përmbahem institucionit kryesor të Kosovës, KQZ-së, që i konsideroi të parregullta në mjaft raste, prandaj edhe do t’i përsërisë në pesë zona, prandaj po rinumëron në 40 për qind të zonave. Por kriza siç e quani ju në Kosovë, ishte dhe është e programuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe ajo do të vazhdojë deri sa bashkësia ndërkombëtare të përgatitet që në bisedimet me Serbinë, veç Prishtinës të involvohet edhe Tirana me objektivin, e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Pra është një krize, që i duhet bashkësisë ndërkombëtare të fitojë kohë.
Kosova Info: Sulmi më i ashpër që i është bërë popullit të Kosovës, gjithë kombit shqiptarë në përgjithësi, por në veçanti UCK-së, është edhe raporti i raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, pikërisht në këtë kohë. Vlerësimi juaj?
Koço Danaj: Kam lexuar materiale me sulme më të ashpra, se sa raporti që përmendet ju. Është graham e fundit e shovinizmit serb, sulmi i fundit, është sulmi i cili fsheh një të vërtetë të madhe që e sipërthashë. Fsheh frikën e madhe të asaj që ju më lartë në një nga pyetjet tuaja e konsideruat tronditje politike. Më shumë se sulm, në thelb është panik. Pse? Shovinizmi fqinj, e sheh që në horizont duket Shqipëria Natyrale, e sheh që bashkimi i shqiptarëve është proces i pakthyeshëm, sondazhi i Gallupit që nxirrte se 81 për qind e shqiptarëve në Kosovë duan bashkim me Shqipërinë, e tmerroi shovinizmin serb, futja e Vetëvendosjes në Parlament, futja e dhjetëra deputetëve të tjerë nga radhët e PDK, AAK, AKR, LDK që janë partizanë të bashkimit e panikoi këtë shovinizëm. Dhe për të devijuar problemin qenësor, për të fituar kohë, për të satanizuar dhe penguar shqiptarët, për të hutuar dhe trembur politikanët e tyre, ky shovinizëm nxori nga arkivi një raport ku emri nuk ka rëndësi, është thjesht një konvencion. Dhe këtë raport ja sërviri bashkësisë ndërkombëtare si për të thënë: E kuptoni se çdo bëni ju që mbështetni shqiptarët? Ata janë mostra, janë kanibalë, si mund t’i përkrahni ata të bashkohen. Por një raport pa fakte, me akuza politike, me diabolizëm duke bashkuar në një të vetëm, individët më kauzën. Në fazën e parë, politika shqiptare u tulat dhe reagoi emocionalisht. Tani është faza, të reagojë institucionalisht. Çfarë do të thotë institucionalisht? Do të thotë që politika shqiptare, tani duhet të kërkojë bashkimin e shqiptarëve. Shovinizmi ka punën e tij, ne kemi tonën. Ne kemi një kauzë tashmë institucionale që është bashkimi i shqiptarëve. Le ta shtrojmë këtë kauzë hapur dhe raporti për të cilin flisni ju do shfryhet si një flluske sapuni. Mos harroni: Në luftën e dytë botërore fitoi koalicioni antifashist. Dhe që atëherë antifashizmi është Vlerë tabu për çdo komb të civilizuar. Pas 50 vjetësh, përballë fashizmit serb, përsëri fitoi koalicioni antifashist. Dhe në këtë koalicion, UCK-ja ishte pjesa më meritore e shqiptarëve përkrah NATO-së dhe bashkësisë ndërkombëtare. Nuk ka përendi, ta tjetërsojë këtë Vlerë të cilën shqiptarët e fituan me gjak, jo një apo disa raporte si ky i fundit. Pra problemi është, më shumë se me një raport, shqiptarët duhet të mendojnë për të ardhmen e tyre, të fëmijëve të tyre. Dhe kjo e ardhme është bashkimi i shqiptarëve në një shtet. Imagjinoni sikur deputete shqiptarë në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës në 24 janar në vend se të mbrohen përballë një monstre, të hedhin tezën e bashkimit të shqiptarëve. Asambleja do harrojë Dikun dhe do merret me kauzën-ide të hedhur nga shqiptaret. Imagjinoni, se çfarë do te ndodhë sikur Albin Kurti dhe Avni Klinaku, që tashmë janë deputetë, të vijnë në Tiranë para 24 janarit dhe të kërkojnë zyrtarisht Presidentit dhe Kryeministrit të Shqipërisë, fillimin e bisedimeve për bashkim me Shqipërinë. I gjithë Brukseli do zbarkojë në Tiranë dhe do harrohet raporti monstër. Imagjinoni sikur Hashim Thaci dhe Jakup Krasniqi t’i qëndrojnë asaj që deklaruan në mbyllje të fushatës se bashkimin kombëtar nuk e kanë premtim elektoral por synim kryesor të partisë së tyre. Bashkësia ndërkombëtare do zbarkojë në Prishtinë dhe nuk do merret askush me Martin. Pra le të mësojmë të mbrohemi duke menduar për të ardhmen tonë dhe të mos flemë në gjumë duke lejuar të na zgjuajë një raport antishqiptar. Prandaj ju thashë se ky është raporti i fundit i shovinizmit dhe se ne thelb të tij është paniku nga procesi i pakthyeshëm i bashkimit të shqiptarëve. Le të shfrytëzojmë atë në interes të kombit. Dhe interes i kombit do të thotë bashkim kombëtar, do të thotë Shqipëri natyrale.
Intervistoi: Lumturie BEKA. KI
Geen opmerkingen:
Een reactie posten