Kryetari i Listës për Shqipërinë natyrale mbledh fakte të reja për të kërkuar shfuqizimin e Konferencës së Londrës
Letër “fuqive të mëdha” për njohjen e Shqipërisë natyrale
Koço Danaj ka vendosur që para 31 dhjetorit t’u kërkojë ministrave të jashtëm të shteteve që organizuan Konferencën e Londrës të vitit 1913 që ta anulojnë atë konferencë dhe ta njohin aktin juridik të Kuvendit të Vlorës të 28 Nëntorit 1912. Më pas do të kërkojë edhe mendimin e GJND-së. Por historianë dhe ekspertë të së drejtës ndërkombëtare në Kosovë janë të bindur se vendimet e marra para një shekulli nuk mund të zhvleftësohen, pavarësisht dëmeve që mund të kenë shkaktuar
Agron Halitaj
Prishtinë, 9 dhjetor- Kryetari i Listës për Shqipërinë natyrale, Koço Danaj, pretendon se ka gjetur fakte të mjaftueshme për të kërkuar anulimin e Konferencës së Londrës, e cila është mbajtur para afro një shekulli, e në të cilën është vendosur për copëtimin e trojeve shqiptare. Fakte, ai thotë t’i ketë gjetur në librin “Kujtimet” të ish-ministrit të Jashtëm britanik, Edward Grey, i cili asokohe ka qenë edhe drejtues i Konferencës. Duke e respektuar edhe sugjerimin e miqve të tij, që nuk ka dashur t’ua zbulojë identitetin, ai ka vendosur që brenda datës 31 dhjetor, t’u kërkojë ministrave të jashtëm të 6 fuqive të mëdha që përgatitën “Londrën 13”, pra atij të Francës, Britanisë, Gjermanisë, Austrisë, Rusisë dhe Italisë, që ta anulojnë atë konferencë dhe ta njohin aktin juridik të Kuvendit të Vlorës të 28 Nëntorit 1912.
Nga një kopje të materialit, Danaj paralajmëron se do t’i dërgojë sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, edhe pse SHBA-ja nuk kanë qenë e përfshirë në atë konferencë. Të njëjtën dosje, ai ka thënë se do t’ua procedojë edhe ministrave të jashtëm të Bullgarisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, aleanca e të cilëve, sipas tij, u paqësua duke iu dhënë si dhuratë nga Londra rreth 50 mijë kilometra katrorë troje shqiptare.
“E pasi të marrim përgjigje, atëherë këtë material do t’ia dërgojmë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke i kërkuar asaj të shprehet”, ka thënë Danaj.
“’Kujtimet’ e Greyt ishin materiali i fundit faktik qe arritëm të gjejmë. Ishte vetëm një kopje... Dhe faktet qe pohon ai vetë (Grey v.j) ishin pjesa me e rëndësishme që na duhej, pasi, ndryshe është kur flasim ne, e ndryshe kur i pohojnë vetë ata që organizuan dhe drejtuan Londrën”, shpjegon ai.
Më 15 janar të vitit 1913, fuqitë e mëdha: Gjermania, Austria, Italia, Franca, Rusia dhe Britania e Madhe vendosën që një pjesë të trojeve shqiptare ta merrte Serbia, një pjesë tjetër Mali i Zi, dhe një pjesë Greqia.
Grey, sipas Danajt, e pranon se ai dhe Britania e Madhe atëbotë krijuan vetëm konsensusin për të copëtuar trojet shqiptare.
Danaj shkëput edhe pjesë të asaj që autori ka shkruar në libër.
“Ta mendosh mirë, roli im personal në këtë Konferencë dukej pa ngjyra dhe shumë banal. Interesat britanike nuk ishin të afektuara nga fati i Gjakovës, Shkodrës apo fshatrave të tjera shqiptare, dhe nuk më takonte të merrja as iniciativa të ndonjë politike, as ta formuloja, por të veproja si një mediator i nevojshëm dhe i durueshëm midis Rusisë dhe Austrisë, të isha gati për të gjetur terrenin e konsensusit dhe të mbuloja pikat e mosmarrëveshjeve”, citon Danaj Greyn.
Ato që Grey i konsideronte fshatra shqiptare përbënin 19 mijë kilometra katrore e të cilat iu dhuruan Malit të Zi dhe Serbisë, që nga Ulqini deri në Preshevë.
Në memoriet e tij, Grey ka përshkruar edhe detaje të takimeve ditore të ambasadorëve të fuqive të mëdha.
“Ne ishim gjashtë: Lichnowsky, Mensdorff dhe Imperiali, respektivisht ambasadorët e Gjermanisë, Austrisë dhe Italisë; Cambon dhe Benckendorff, ambasadorët e Francës dhe të Rusisë, dhe unë për Britaninë e Madhe. Më takoi përgjegjësia e drejtimit, por ne vendosëm t’i thjeshtojmë procedurat dhe të bënim një komitet miqsh, ashtu edhe siç ishim. Në mblidheshim pasditeve, zakonisht rreth orës 4 dhe diskutonim deri rreth orës 6 ose shtatë me një pushim të vogël çaji. Konferenca vazhdoi deri më gusht 1913, por ne mblidheshim vetëm kur e kërkonin rrethanat dhe raportet e miqësisë që ne kishim, nuk i penguan debatet të vazhdonin të papërcaktuar në mënyrën më të bezdisshme. Çështja që paraqiste më shumë vështirësi, dhe rrezik, ishte përcaktimi i kufirit në veri dhe verilindje i Shqipërisë, ku Serbia kërkonte më shumë se ç’ ishte gati të pranonte Austria”, citon Danaj, librin e Greyt.
“Korrespodenca” të Cambonit, si fakt shtesë
Pos “Kujtimeve” të Greyt, Danaj ka marrë si argument për zhvleftësimin e Konferencës së Londrës edhe letërkëmbimin e quajtur “Korrespodenca” të Pol Cambonit, që atëbotë ka qenë ambasador francez.
Grey e Cambon, siç thotë ai, flasin në këto dokumente, për atë që nuk di opinioni. “Pse e them këtë? Sepse ata morën vetëm një kryevendim: të mos mbanin procesverbal për ato që do diskutonin, njësoj si krimineli që pasi bën krimin, përpiqet të fshehë gjurmët e tij”, ka thënë Danaj.
Po çfarë efektesh do të prodhonte shfuqizimi i Konferencës së Londrës?
“Nga ajo konferencë nuk ka vendime, nuk ka asgjë të shkruar si në çdo konferencë serioze, që merr vendime. Aty është pirë çaj pasdite dhe është refuzuar pavarësia e Shqipërisë, e cila ishte shpallur vetëm 18 ditë para se të mblidheshin ata në Londër”, shpjegon Danaj.
Ai është i bindur se shfuqizimi i asaj konference do ta kthente të drejtën e shqiptarëve për të jetuar bashkë në trojet e tyre etnike.
“Absolutisht po! Ky është qëllimi kryesor i një pune pesëvjeçare. Është një metodë demokratike, paqësore, pa dhunë, me fakte me argumente, që nuk mund ta kundërshtojë askush. Kemi përballë një Akt juridik të një Kuvendi Legal të mbledhur në 28 Nëntor 1912 që shpall pavarësinë e Shqipërisë natyrale, që krijon institucionet e këtij shteti që nga Presheva në Prevezë”, ka thënë Danaj.
Anulimi i Londrës, sipas tij, do t’u bënte nder vetë shteteve që kanë qenë asokohe atje.
“Kjo për faktin se Konferenca e Londrës është një njollë e madhe turpi, dhe këtë nuk e them unë, para meje e ka thënë i madhi Robin Cook, kur deklaroi në Dhomën e Komunave se ne do t’i rregullojmë padrejtësitë e mëdha që i kemi bërë kombit shqiptar”, është shprehur Danaj.
Mirëpo, Grupi i Kontaktit, i cili është i përbërë nga shtetet më të fuqishme në botë, para disa vjetësh ka vënë linja të kuqe, para se Kosova ta shpallte mëvetësinë e saj. Sipas këtij grupi, ky vend as nuk do të mund të ndahej e as të bashkohej me ndonjë shtet tjetër. Por, Danaj ka shpjegim edhe për këtë.
“Nuk bëhet fjalë që historia të kthehet prapa, por të korrigjohet. Çfarë është bashkimi i Gjermanisë, kthim prapa apo korrigjim i historisë së prapë? Çfarë është pavarësia e disa shteteve të reja në rajon, kthim prapa apo korrigjim i prapësisë. Dhe në rastin e shqiptarëve, kërkohet e njëjta gjë”, ka thënë ai.
Arbitri ndërkombëtar, sipas tij, deri tani ka anuluar vendimet e dy konferencave zyrtare, siç kanë qenë ajo e Versajës dhe e Jaltës.
“Shpërbërja e Jugosllavisë dhe bashkimi i Gjermanisë janë vetëm dy shembuj... Tash ka mbetur edhe Londra, e cila nuk ishte zyrtare, por ilegale dhe kriminale”, thekson ai.
Për Danajn, “kujtimet” e Gryet janë thesar për shqiptarët, pasi ato e rrezojnë jo vetëm atë që është thënë deri më tani për Konferencën e Londrës, por rrezojnë edhe krejt atë që e kanë interpretuar gjer më sot profesorët shqiptarë të së drejtës ndërkombëtare.
Droja nga “tallja e ndërkombëtarëve”
Mirëpo, së paku një historian dhe një profesor i së drejtës ndërkombëtare në Kosovë, janë të bindur se vendimet e para një shekulli nuk mund të zhvleftësohen, pavarësisht dëmeve që mund të kenë shkaktuar.
Historiani Jusuf Buxhovi, i cili së shpejti pretendon të dalë me librin ‘Historia e Kosovës”, në të cilin e trajton këtë problematikë, është i mendimit se konferencat ndërkombëtare pa marrë parasysh sa kanë qenë të padrejta nuk zhvleftësohen.
“Është fjala për vendime historike iverizibile. Shqiptarët mund të shtrojnë këso çështjesh, por nuk do të kenë kurrfarë dobie prej kësaj. Madje mua kjo më duket paksa qasje populiste, me të cilën kohën e fundit po manipulojnë mjaftë kuazihistorianë, por edhe shumë tregtarë flamujsh”, ka deklaruar Buxhovi. “Nëse do të dilet me qëndrime të tilla, atëherë me siguri se faktorët ndërkombëtarë do të na tallin”, ka shtuar ai.
Shqiptarët, sipas tij, me këso nismash vetëm sa mund të shkaktojnë dëme politike, sepse të gjithë e dinë se askush në ditët e sotme nuk ia heqë, ta zëmë, Çamërinë Greqisë.
“Prandaj, duhet të shmanget populizmi dhe të punohet në drejtimin që Shqipëria të stabilizohet dhe shteti i Kosovës të forcohet. Vetëm kështu ne mund të tregojmë se meritojmë përkrahjen e Evropës, por edhe të miqve tjerë ndërkombëtarë”, ka theksuar Buxhovi.
Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, po ashtu konsideron se historia objektivisht është vështirë të kthehet prapa.
“Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër janë marrë shumë vendime për fatet e popujve. Dhe vendimet e ndërmarra në një Konferencë, apo vendimet juridike, mund të shfuqizohen vetëm nëse mbahet një procedurë e njëjtë, me ç’rast anulohen vendimet e vjetra dhe merren vendime të reja”, ka thënë Hoti. “Nëse ka fakte, atëherë gjykata do të mund të bënte diçka në këtë drejtim, por unë në fakt nuk e di se çfarë argumentesh të prekshme ka z.Danaj për t’ia ofruar GJND-së. Ajo që mund të them është se ‘memoriet’ e kujtdo qofshin ato nuk janë të mjaftueshme për ta zhvleftësuar një konferencë që është mbajtur para 100 vjetësh”, ka shtuar ai.
Danaj qysh para një viti e ka pasur në plan t’i drejtohej Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë kundër Konferencës së Londrës të 1913, por nuk e ka bërë këtë gjë deri më sot, pasi siç ka thënë ai, kështu e kanë këshilluar disa miq të tij.
Ai nuk e ka parë të udhës që të vërë kontakte me faktorët vendimmarrës politikë në Shqipëri e Kosovë, për ta marrë edhe qëndrimin e tyre rreth nismës së tij.
Aktualisht, qëndrimi i lidershipit të të dyja shteteve është që bashkimi i shqiptarëve të bëhet në Bashkimin Evropian.
.