Intervistoi Eva Gjura
-Z.Danaj prej gati një jave opozita është ngujuar në një grevë urie me argumentin për të hapur kutitë e votimit. Cili është komenti juaj për këtë veprim është zgjidhja e duhur?
Unë e respektoj grevën e urisë së grevistëve. Nga kushdo, ajo duhet respektuar. Por nuk kam të njëjtin qëndrim ndaj politikanëve që drejtojnë këtë grevë dhe kërkesave të tyre. Ata thonë se po të hapen kutitë do triumfojë demokracia, liria, bollëku etj etj. Por nuk kanë të drejtë. Kjo është demagogji, manipulim. Asgjë nuk do ndryshojë edhe po të bëhet rotacioni i pushtetit. Prandaj vijme ne menyre te natyrshme ne nevojen e nje analize me te plote, te thelle dhe gjithanshme. Pse nuk do te ndryshoje? Nuk ka asnjë ndryshim thelbësor midis otomanizmit dhe neootomanizmit. Ka vetëm ndryshim kostumesh. Mentaliteti i sotëm i shtresës së politikanëve shqiptarë është neootomanizmi. Shqiperia aktuale nuk eshte shtet demokratik, por Vilajet Neootoman. Rezistenca e tyre për të ruajtur këtë statukuo të kombit shqiptar dëshmon qartë për çka thashë. Lufta politike në Vilajetin e Tiranës ne thelb bëhet kush do jetë Valiu i radhës. Kështu bëhet edhe Lufta politike në Prishtine, edhe në Tetovë.
Por njerëzit kerkojne liri dhe te drejta demokratike. Demokracia fillon tek e drejta e qytetarëve të tij për të vetvendosur në fillim për fatin e tyre si komb. Të tjerat vijnë pas kësaj. Vilajetet nuk garantojnë demokraci, kushdo qoftë në pushtet. Thelbi i tyre është ose totalitarizmi si në të kaluarën ose autoritarizmi siç po ndodh përgjatë këtyre 20 vjetëve. Prandaj do të thoshja se ata që vërtetë duan demokraci si shqiptarë, duhet të kërkojnë: Të hapet Kutia e Shqipërisë Natyrale.
-Hapja e kutisë së Shqipërisë natyrale, mendoni se gjen mbështetje kjo ide në Shqipëri?
Jam i bindur për këtë. Sondazhi i fundit i Gallup-it nxorri se 70 perqind e shqiptareve duan Shqiperi Natyrale. Imagjinoni për një cast sikur greva e urisë të kishte si objekt të saj Hapjen e Kutisë së Shqipërisë Natyrale. Bulevardi dëshmorët e Kombit përgjatë gjithë gjatësisë së tij do të ishte shumë, shume i vogël për të mbajtur masën qindramijëshe të shqiptarëve. Brukseli, Uashingtoni, Moska, Londra do të zbarkonin në Tiranë. Ndërsa sot, lufta bëhet kush të rrëmbejë ndonjë deklaratë diplomati në favor të partisë së tij. E në këto kushte, diplomatët e huaj shndërrohen në zotër të një vendi që nuk u përket atyre, në arrogantë kur nuk u pëlqen atyre. E mbani mend besoj, arrogancën e Fyles me drejtuesin e opozitës. E mbani mend besoj arrogancën e EULEX në zyrat e qeverisë së Kosovës.
Duhet që Maqedonia të ndërrojë formën momentale të shtetit duke e kthyer atë në baza federale. Marrëveshja e Ohrit, e cila ende e mbanë Maqedoninë në këmbë tashmë është e vdekur, me këtë në esence është shuar edhe bashkjetesa mes maqedonasve dhe shqiptarëve, hapi i pare është Federalizimi dhe hapi i dytë bashkimi me Shqipërinë. Ka dy lloje të dhembjeve, njëra është dhembja për të vërtetën tjetra dhembja për mashtrimin, unë jam për llojin e parë sepse dhembja për të vërtetën është shumë më e lehtë se dhimbja për mashtrimin. Ndërkaq është e e pakta mungesë njohjeje tu kshillosh shqiptarëve të durojnë, apo të mbështeten tek Marrëveshja e Ohrit ose që ajo është jetike për shqiptarët. Duke dëgjuar këto këshilla që vijnë nga Tirana zyrtare, natyrshëm lind pyetja: A mund të mbështetesh tek i vdekuri për të ardhmen tënde? A mund të jetë jetike për të gjallët, ajo që nuk ka jetë vetë?
-Ka ardhur koha që Shqipëria dhe shqiptarët të bashkohen?
Projekti real për shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në shtetin pa emer, është bashkimi me Shqipërinë. Në qoftëse duan të jetojnë si qytetarë europianë, në qoftëse duan të kenë simbole kombëtare, në qoftëse duan të mbeten shqiptarë. Varianti i parë drejt bashkimit me Shqipërinë është ajo që quhet federalizmi i Maqedonise. Kush e ka studiuar mirë strategjine e Nikola Gruevskit nuk mund të mos e kuptojë se ai punon të ndajë Maqedoninë. Por këtë ndarje do që ta realizojë duke ju marrë sa më shumë troje shqiptarëve. Mjerisht, një pjesë politikanësh shqiptarë po i shkojnë pas avazit dhe po e ndimojnë atë. Cilat janë arsyet reale akoma nuk dihet, por dihet se janë shndrruar në ndihmës të tij, të paktën për përfitime personale.
Idea e Shqipërisë Natyrale pengon integrimin ne BE?
Integrimi europiane dhe NATO nuk e pengojnë, përkundrazi e kërkojnë Shqipërinë natyrale e ndihmojnë krijimin e saj. Pa mendoni gjendjen e sotme të kombit shqiptar. Është një neootomanizëm i kulluar. Në vend të vilajeteve të dikurshme të perandorisë turke, sot kemi mentalitetin e vilajetit. Vilajeti i Tiranës, i Prishtinës, i Tetovës, (sepse politkikanët shqiptarë e braktisën Shkupin), kemi kazanë e Preshevës, të Ulqinit etj. Si mund të integrohesh në BE me mentalitet pashallarësh. Vetëm se ke ndërruar kostumin dhe fjalorin politik? BE është bashkim kombësh, jo bashkim vilajetesh. Atëherë, bashkimi i shqiptarëve është europeizëm, gjendja e sotme e tyre është neootomanizëm. Berisha, Topi, Rama, Hashim Thaçi, Ahmeti, Menduh Thaçi, Haradinaj, Sejdiu etj etj shumë shpejt do tju duhet të zgjedhin midis europeizmit dhe neootomanizmit.
Si mendoni se mund të arrihet realizmi i idesë për Shqipërinë Natyrale kur dihet se kjo ide ndër vite është shoqëruar me përplasje dhe gjakderdhje?
Shqiptarët kanë derdhur aq shumë gjak saqë do të mund ti bënin jo një po pesë Shqipëri. Prandaj nuk ka më nevojë për gjak. Deri dje flitej "të vdesim në këmbë" sot duhet të themi "të jetojmë në këmbë". Në vend të armëve duhet dialog demokratik. Unë jam i sigurtë se bashkëjetesa është e pashmangshme por nuk pajtohem fare me disa të cilët e përdorin bashkëjetesën për të mbuluar dhunën etnike ndaj shqiptareve
Sipas jush kemi të bëjmë me një drejtësi të vonuar të shqiptarëve?
Rajoni I Ballkanit duhet të ballafaqohet me të kaluarën që të mos përsërite ana e errët e saj. Të ballafaqohet me të drejtën e saj dhe jo me manipulimet e saja të mëdha. Ballkani nuk është më Delja e Zezë e Europës, ashtu si edhe shqiptaret nuk jane delja e Zeze e Ballkanit. Këtë regjion e kanë futur në ngatërresa të mëdha Marrëveshja e Londrës e vitit 1913 dhe Marrëveshja e Versajës e vitit 1919. Me këtë është krijuar një regjion artificial me shtete artificiale. Restaurimi tashmë ka filluar, patjetër duhet një Marrëveshje e re e Londrës, me pjesmarrje edhe të SHBA-ve, Marrëveshje e cila do ti hapë rrugë Shqipërisë Natyrale. E drejtë është që të ndodhë në njëqindvjetorin e Marrëveshjes së pare, 1913. Prandaj më duhet të them se fjala është për drejtësinë e vonuar. Për një jetë ndryshe për një bashkëjetesë ndryshe, për një mirëqënie dhe prosperitet, duhet që ndaj shqiptareve, "drejtësia e vonuar" të mos jetë "drejtësi e cunguar". Shqiptaret per njëmijë e një arsye kanë pranuar me forcën e të madhit apo me pafatësinë e politikanëve të tyre tua marrin trojet dhe sot ndodhen para këtij absurdi unikal që në gjithë kufiri e tyre tokësor kufizohen me veten e tyre. Tashme është koha që ata ti rimarrin ato. Trojet as nuk shiten, as rrëmbehen por as nuk jepen me qira.
Shtet fqinjë do ta pranojnë idenë e Shqipërisë Natyrale kur dihet se akademikët e tyre kanë shkruar me mijëra faqe kundër shqiptarëve?
Deri më tani në Beograd, Podgorice dhe Shkup janë botuar mbi 135 analiza, shkrime, komente apo lajme mbi Platformën e Shqipërisë Natyrale nga televizionet dhe gazetat me në zë. Ka pasur edhe reagime nga qeveria serbe me anë të ministrit Bogdanovic.
Kjo jehonë ka një arsye madhore. Cila është ajo: Platforma e shqipërisë Natyrale përmban bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm. Si domosdoshmëri për paqe, progres dhe mirëqënie rajonale. Përmban dialogun dhe debatin për arritjen e këtij qëllimi. Duke përjashtuar luftën. Përmban të drejtën historike dhe reale të shqiptarëve për tu bashkuar. Pra është një ofertë moderne për paqe. Ata fqinjë që nuk e pranojnë këtë ofertë, do të thotë se nuk e duan paqen por luftën, do të thotë se i duan shqiptarët vetëm si mercenarë, si objekte për ti satanizuar sa herë janë vetë në krizë dhe jo si ndërtimtarët kryesore të paqes rajonale. Platforma njeh gjeopoilitikën rajonale. Shikoni çfare ndodh. Bashkësia ndërkombëtare ka riparuar gati tërësisht gabimet e Konferencës së Versajës. E tani ka mbetur pa riparuar gabimi i Konferencës së Londrës që ndau në 5 pjesë kombin shqiptar. Çështja shqiptare deri tani është zgjidhur pjesërisht, koha është të zgjidhet tërësisht. Prandaj Platforma përmban domosdoshmërinë e një Konference Londër-2 por këtë hërë me pjesmarrjen e aleatit kryesor te shqiptarëve që janë SHBA.
-Thatë që akademiket e vendeve fqinje kanë shkruar me mijëra faqe për historinë e tyre edhe pa pasur fakte e argumenta. Po akademikët tanë kanë bërë të njëtën punë?
Në vitin 1998, akademia e shkencave e Shqipërisë hartoi një Platformë për bashkimin e trojeve shqiptare. Kanë kaluar 12 vjet që nga ajo kohë. Kjo Platformë tashmë fle e mbuluar nga pluhuri i harreses në sirtaret e akademisë. Askush nuk guxon ta nxjerrë nga sirtari, asnjë akademik. Atëherë përse me duhet mua si qytetar shqiptar Akademia e shkencave, kur ajo ka frikë ti dalë për zot kombit nga i cili ka dalë? Perse më duhet mua ti respektoj akademikët, kur ata nuk respektojnë kombin e tyre dhe të drejtën e tij për të qenë si të tjerët? Thjesht se duhet edhe një institucion i tillë? Sot Shqipëria ka nevojë për një Akademi shkencash që ti dalë për zot Platformës që ajo vetë hartoi para 12 vjetësh. Dhe jo një akademi kozmoplite që ka frikë të përballojë thelbin e kombit të cilit i përket.
Prandaj, po rikthehem edhe njehere: Ka vetem nje rruge; Te hapet Kutia e Shqiperise natyrale per te zevendesuar Vilajetin Otoman qe kemi sot. Te hapet Kutia e Shqiperise Natyrale qe te mos kete nevoje per hapje kutish votimi apo greva urie. Kombi Shqiptar eshte me i madh se populli Opozitar.
Geen opmerkingen:
Een reactie posten